Napoli ka arritur të marrë tre pikët e para në Ligën e Kampionëve mbrëmjen e djeshme, duke mposhtur 2-0 kampionët në fuqi të këtij kompeticioni, Liverpulin. Megjithëse grupi i lojtarëve të këtyre të fundit nuk është prekur që nga sezoni i shkuar, nuk kanë mundur dot t’a nisin në mënyrën më të mirë këtë sezon të Ligës së Kampionëve.
Gjithsesi, trajneri i napoletanëve, Karlo Ançeloti, ka shkëmbyer edhe batuta me Jurgen Klop, të cilat ai vetë i ka zbuluar pas ndeshjes. Italiani i ka kujtuar trajnerit të të kuqve atë çfarë ndodhi sezonin e shkuar, ku të dyja ekipet ishin në të njëjtin grup, madje rezultati i ndeshjes së luajtur në Napoli ishte fitorja e italianëve, ashtu siç ndodhi edhe dje. Por në fund ishte pikërisht Liverpuli që arriti të ngrinte lart trofeun duke mposhtur në finale Totenhemin.
“Qendro i qetë. Nëse humbet këtu, atëherë do të fitosh Ligën e Kampionëve”, i është drejtuar Ançeloti trajnerit gjerman Jurgen Klop./Sport Ekspres/