Peter Olainka ishte njeriu që e bëri dje Interin me makthe për shumë minuta, ndërsa pas golit të tij, Slavia e Pragës mori avantazhin në shifrat 0-1 ndaj Interit në transfertë.
Barela do të vinte me një gol që barazoi shifrat e takimit në minutat shtesë, por gjithsesi duke dalë të humbur nga kjo përballje në një farë mënyre. Tashmë ekipi i Bylisit krenohet për një nga gjetjet e tyre më të mira të viteve të fundit, pasi Olainka do të vinte shumë kohë më parë pikërisht në këtë skuadër, për të bërë më pas hapin e madh te Skënderbeu.
Nëpërmjet një reagimi në faqen zyrtare, Bylisi shkruan se Olainka është një nga talentet më të mëdhenj që kanë pasur, ndërsa ishte një zbulim i vetë presidentit të klubit, Besnik Kapllanaj. /Sport Ekspres/
Reagimi i plotë
I urojmë suksese një nga talenteve më të mëdhenj që kemi pasur në ekip dhe që e ka zbuluar presidenti i klubit, Besnik Kapllanaj!
Kur mediat shkruanin në debutim për të askush nuk e besonte, tani luan në nivele të larta në Europë!
Prisni edhe pak, Bylisi do t’iu surprizojë me të tjerë talente vendas dhe te huaj…