Raporti i Xherdan Shaqirit me Kombëtaren e Zvicrës ka ndryshur kohët e fundit, pasi sulmuesi refuzoi të grumbullohej me zvicerianët në ndeshjet e fundit të muajit shtator. Shkak për këtë ishte shiriti i kapitenit që Granit Xhaka mban në krahë, megjithëse sulmuesi i Liverpool do të deklaronte se arsyeja e refuzimit ishte për t’u stërvitur me ekipin.
Ndërkohë, Xhaka është shprehur se është i gatshëm të ulet në diskutim me Shaqirin për ta zgjidhur këtë çështje, duke deklaruar se shiriti i kapitenit nuk është prioritet për të. Ndërsa së fundmi, mësohet se do të jetë pikërisht trajneri i helvetëve, Petkoviç, i cili së bashku me menaxherin e ekipit do të takojnë sulmuesin shqiptar, në mënyrë që të zgjidhin këtë situatë.
Nëse lojtari i Liverpool do të përsërisë sjelljen e tij, duke refuzuar sërish helvetët, atëherë Federata e Zvicrës mund të marrë masa për Shaqirin, të cilat mund të çojnë deri nnë përjashtimin e futbollistit nga ekipi. /Sport Ekspres/