Rrëfimi i Andi Lilës: Kukësin nuk e mendova kurrë, do të luaj futboll deri në 41-vjeç

Andi Lila u rikthye në futbollin shqiptar gjatë merkatos së verës, atje ku firmosi kontratë me ekipin e Tiranës. Mbrojtësi i Kombëtares nuk është kthyer ende në fushën e lojës, pasi ka një dëmtim. Por në një intervistë të fundit për “Wake Up”, Lila është shprehur se kërkon rekord dhe se do të luajë deri në moshën 41-vjeç futboll. Mes të tjerash, lojtari ka treguar më shumë edhe sa i përket ofertës së Kukësit.

“Dashuria ime për futbollin është e madhe. Megjithatë unë dua më shumë që të luaj futbollin, sesa që ta shoh atë. Nuk jam shumë në moshë të madhe, jam vetëm 33-vjeç. Kam një dëmtim tani dhe nëse arrij ta kaloj atë, do të thyej rekord dhe do të luaj deri në moshën 41-vjeç. Me pasionin dhe vullnetin që kam do e arrij.

Sa i përket ofertës së Kukësit, Shqipëria është e vogël. Takova mes miqsh edhe presidentin e Kukësit, Safet Gjicin. Ai më bëri një ofertë që t’i bashkohesha këtij ekipi, por unë nuk e mendova kurrë që të shkoja.

Nga Tirana kam arritur lart dhe i detyrohesha këtij klubi. Për më tepër më pëlqeu shumë edhe projekti i presidentit Halili me afrimet e bëra. I kemi të gjitha mundësitë që të dalim kampion. Si mund të ikja në ekip tjetër, kur vitet që kam kaluar te Tirana ishin më të bukurat e karrierës?”, shprehet Andi Lila. /Sport Ekspres/