Çfarë karriere është ajo e Berat Gjimshitit! Një dëshmi e qartë se pavarësisht pengesave dhe problemeve që do të ndodhin gjatë gjithë rrugës, kur fshihet një aftësi e madhe, shpërblimi është gjithmonë i sigurtë.
Atalanta e kishte kartonin e tij prej kohësh, por zgjidhte që ta huazonte në ekipet e dorës së dytë, duke arritur edhe në Serinë B. Derisa në një rast emergjent në sezonin e shkuar, Gjimshiti luan si një zgjedhje e detyruar dhe fiton besimin e trajnerit Gasperini.
Gjithmonë në ndeshjet e mëdha do të fuste në xhep sulmuesit më të rrezikshëm të kundërshtarëve. Tashmë mbrojtësi shqiptar bëhet gati për të dëgjuar himnin e “Champions League” nga fusha e blertë. Arritja më e madhe në karrierën e Gjimshitit, që do të jetë si titullar në takimin e mesjavës që Atalanta do të zhvillojë ndaj Dinamos së Zagrebit në transfertë. /Sport Ekspres/