Eden Hazard u transferua me bujë në merkaton e verës, duke u bërë tashmë pjesë e galaktikëve të Real Madrid. Pas disa sezoneve mjaft të mira në Londër me ekipin e Chelsea, Hazard vendosi të bënte një hap tjetër të madh në karrierën e tij.
Së fundmi belgu ka folur edhe mbi diferencat e futbollit në Angli dhe atij në Spanjë, duke treguar se janë shumë të ndryshëm sidomos në aspektin e tifozerisë. Sipas Hazard, mbështetësit spanjoll janë më të lidhur me klubin dhe humbja përjetohet më tepër. E çuditshme kjo kur flitet për vendin në të cilin lindi futbolli, por njëkohësisht edhe ku shquhet për përleshjet e mëdha që ndodhin jashtë stadiumit mes tifozerive. Gjithashtu, sulmuesi ka thënë se spanjollët kanë gjithnjë pritshmëri shumë të larta sa i përket kompeticionit më madhor të Europës, Ligën e Kampioneve.
“Kur je në Real Madrid, edhe pse është viti im i parë, nga të folurit me fansat kupton se ata gjithnjë presin që ne të fitojmë Ligën e Kampionëve. Mendoj se këtu tifozët janë vërtet tifozë. Në Angli ka shumë tifozë, njerëzit atje e pëlqejnë futbollin, dhe të gjithë, të rinj, të rritur, adoleshentë, janë vërtet të interesuar për futbollin. Por nuk janë shumë fanatik për ekipet e tyre. Kur humbisnim te Chelsea, ishim të zhgënjyer ashtu si dhe fansat, por kurrë nuk kam ndjerë se ishte një katastrofë. Kjo është ndryshe në Spanjë. Futbolli është gjithçka për ta dhe varet nga lojtarët që të japin çdo gjë në fushë”, ka thënë Hazard./Sport Ekspres/