Vlerësimi për Marash Kumbullën/ Në xhep kishte Piatekun: Më i miri i ndeshjes!

Marash Kumbulla tregoi se është gati për hapin e madh dhe të gjitha aftësitë e tij u panë qartazi në përballjen ndaj Milanit. Megjithëse Verona luajti për pjesën më të madhe të ndeshjes me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq në minutën e 20, mbrojtësi shqiptar ishte në lartësinë e duhur për t’i ndalur hovin kuqezinjëve.

Sipas vlerësimeve të mediave italiane, Kumbulla është më i miri i takimit ose një ndër më të mirët. Por të gjitha mediat sportive në Itali theksojnë se Piateku ishte në xhepin e mbrojtësit të Shqipërisë. “Tuttohellasverona.it” i ka dhënë notën më të lartë Kumbullës, 7, duke e përshkruar në këtë mënyrë paraqitjen e tij: “Mbyllje e hapësirës dhe rastet e pakta që patën sulmuesit e Milanit. E heq Piatekun, polaku nuk mund të japë më të mirën e tij, por sigurisht që për një lojtar 19-vjeçar, sigurisht që nuk mund të jetë një çështje e parëndësishme kjo”, shkruan media italiane. /Sport Ekspres/