Sinisa Mihajlovic ka një dashuri të madhe për futbollin dhe Bolonjën. Këtë e dëshmoi që në ditën e parë të kampionatit, atje ku braktisi trajtimet që duhej të merrte në spital, vetëm për të qenë afër skuadrës së tij.
Ajo që duhet të përmendet është se tekniku serb vuan nga një sëmundje e rëndë dhe është në luftë me jetën, megjithëse ka pasur disa shenja pozitive në kohët e fundit. Ditën e djeshme Bolonja fitoi në transfertë ndaj Breshias me rezultatin 3-4.
Një përmbysje e madhe, pasi pjesa e parë u mbyll në humbje 3-1. Sulmuesi argjentinas që dikur ka luajtur me Inter, Palasio, tregoi edhe prapaskenën sesi Mihajloviç nga spitali dhe këshillonte me nervozizëm lojtarët e tij, pasi nuk po e mbante vendi dhe ia kishin ndaluar të ishte në fushë.
“Vetëm në pjesën e dytë ne kemi luajtur siç dëshironim. Sapo kemi mbaruar pjesën e parë, Mihajloviç na ka marrë në telefon dhe kemi ndierë gjithë zemërimin e tij, ishte sikur po “na shqyente” nga telefoni”, ka thënë sulmuesi argjentinas që shkurtoi diferencat në 3-2 dhe dha asist në golin e përmbysjes. /Sport Ekspres/