Ekskluzive/ Goli nga kornia, flet Vangjo Zguro: Trajneri më tha se i kujtova Recoban e Interit!

Vangjo Zguro e ka shfrenuar fantazinë në ndeshjen e fundit me Red Wolvesin, skuadrën me të cilën luan në kampionatin amerikan. Futbollisti që ka luajtur me disa ekipe në futbollin shqiptar, realizoi direkt nga kornia në përballjen ndaj Lansing Ignait, atje ku erdhi edhe humbja me shifrat 4-3.

Menjëherë pas realizimit të çmendur, erdhi edhe festimi me shqiponjë. Sigurisht që një kryevepër e tillë mund të ndodhë vetëm njëherë përgjatë karrierës, por nuk është çudi që Zguro po vlerësohet në këtë mënyrë. Prej kohësh shihet si një nga futbollistët më të mirë në Red Wolves dhe njëkohësisht mbrojtësi më i mirë i kampionatit.

Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Zguro na tregon pak nga vlerësimi i trajnerit në fundin e ndeshjes: “Sa i përket atij goli, më kanë uruar të gjithë. Por ajo që dua të veçoj është vlerësimi i trajnerit, që më tha se i kujtova Recobën. Pikërisht lojtari që ka bërë gola të tillë të ngjashëm nga kornia te Interi. Gjithçka po më shkon shumë mirë këtu, duke marrë vlerësime të njëpasnjëshme. Ndërsa për festën me shqiponjë, nuk ishte e menduar, por erdhi në mënyrë spontane”, ka thënë Zguro. /Sport Ekspres/

 

https://www.facebook.com/USLLeagueOne/videos/2501621343229473/UzpfSTEwMDAwMTI5NjAyMjgxNzoyMzU0NDEzNTk0NjExODE4/