Java e katërt e Superiores është mbyllur me takimet mes Bylisit dhe Kukësit në shifrat 2-1, por edhe mes Laçit dhe Partizanit që ka përfunduar 1-0. Të dyja këto rezultate mund të quhen surprizuese, ndërsa më poshtë mund të shihni edhe intervistat e trajnerëve që kanë dhënë për “Supersport”:
Sulejman Starova (Laçi): “Ndjesia e parë është që morrëm tre pikët. Ishte niveli i lartë nga të dyja ekipet, shpërdoruam disa raste në pjesën e parë. Partizani është një nga ekipet më të forta që kam parë deri tani. Rezultati vonon, por nuk harron. Nuk kemi ndryshuar asgjë, por thjeshtë tani erdhi fitorja pasi kemi luajtur mirë. I kemi udhëzuar lojtarët që të mos blejnë gazetat, të mos shohin klasifikime, pasi ndikonte te morali. E përsëris që kemi gabuar në shumë raste para portës kundërshtare. Tani duhet punë dhe të zgjidhim problemet teknike. Lojtarët duhen të eliminojnë gabimet. Xhixhën e pres golashënues”.
Dovedan (Bylis): “Ne luajtëm mirë dhe fituam. Kampionati ka një rrugë të gjatë dhe sapo kemi nisur. Nuk ka rëndësi se kush shënon, nëse bëhet edhe për portierin. Kjo ndeshje tregoj nëse do luftonim për rënien nga kategoria apo për diçka më shumë”.
Franko Lerda(Partizani): “E dinim që Laçi është e fortë, sidomos në shtëpi. Në pjesën e parë i jemi afruar shumë pak portës, por në të dytën u ndëshkuam vetëm nga një rast, në një top të humbur në mesfushë. Duhet të punojmë më shumë në 20 metrat e fundit. Skuadra është atje ku duhet. Vertikalizimet na kanë munguar, por kjo edhe për meritën e Laçit që u mbyll mirë mbrapa. Luajta me Bardhin në sulm pasi është një lojtar që e njeh kampionatin shqiptar. Solomon është i pezulluar, ndërsa Broën erdhi para tre ditësh nga Kombëtarja. Mes Bardhi dhe Ekuban, zgjodha Bardhin”.
Shpëtim Duro (Kukësi): “Kishim shumë mungesa, por kjo nuk është aspak e justifikueshme, megjithëse ishin lojtarë shumë të rëndësishëm për ne. Ne grupin e kemi të plotë dhe duhej të luanim më mirë. Pjesa e parë hasëm vështirësi ndaj një klubi shumë agresiv. Në pjesën e dytë kishim më shumë raste të pastra, por meritë ka dhe kundërshtari u vendos mirë që të mos shënonim. Kemi pasur fillim të mirë. Humbjet e ndërlikojnë situatën dhe ne duhet të përgatitemi mirë. Ka kundërshtarë jo të lehtë për të mundur. Kampionati duket të jetë i balancuar”.