Liverpool ka marrë tre pikët e radhës në ndeshjen që u luajt ditën e djeshme kundër Newcastle, e cila u mbyll me shifrat 3-1. Të kuqtë udhëheqin kështu kampionatin anglez me pikë të plota në këto 5 javë të luajtura.
Por një detaj interesant u vu re gjatë golit të 3-të të realizuar nga sulmuesi Salah. Do të ishte fillimisht një asist fantastik me finte nga braziliani Firminho që do të gjente sulmuesin egjiptian, por në kohën kur Salah kishte marrë kontrollin e topit, Van Dijk do të niste festimin. Parandjenjat nuk e kanë tradhëtuar mbrojtësin hollandez, pasi topi do të përfundonte në rrjetë.
Ndërsa vlen të përmendet se nuk është hera e parë që mbrojtësi i Liverpoolit nuhat golin përpara se të shënohet, pasi e ka bërë këtë gjë edhe herë tjetër. Bëhet fjalë për momentin kur Van Dijk i kërkon Trent-Arnold që t’ja lërë ekzekutimin e një goditje dënimi lojtarit shqiptar në sezonin e shkuar, Shaqirit, i cili dhuroi një asist që u shndërrua më pas në gol. Ndeshja ishte pikërisht ndaj të njëjtit kundërshtar, Newcastle, ku rezultati ishte në shifrat 2-2 dhe në minutat e fundit do të vinte goli i fitores nga këbët e Shaqirit dhe intuita e Van Dijk.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në përmbysjen e madhe ndaj Barcelonës në golin e tretë të Liverpulit. Van Dijk shfaqi të njëjtën intuitë për Shaqirin, megjithëse këtë herë nuk ndikoi në të njëjtën mënyrë.
Pasi Milneri ishte në aksionin e sulmit, Van Dijk tregoi nga pas shpinës me gisht se duhej t’i pasohej Shaqirit për të krosuar. Pikërisht nga aty do të vinte edhe goli i tretë i anglezëve, megjithëse në këtë rast Milner e bëri vetë atë veprim, pa e parë shenjën e Van Dijk. /Sport Ekspres/