Tirana po vazhdon me rezultatet pozitive në kampionat, ndërsa pas asaj fitore delikate të marrë ndaj Vllaznisë me rezultatin 0-2, erdhi edhe ajo ndaj Skënderbeut me rezultatin 3-1. Tashmë bardheblutë kanë kryesimin e kampionatit, por jemi ende në javën e katërt.
Në një intervistë për “Supersport”, mesfushori i Tiranës, Idriz Batha ka zgjedhur edhe paralelizmin mes shanseve që ka Tirana për të marrë kampionatin shqiptar, me ato të Interit që të fitojë Serinë A.
“Faktikisht unë nuk shoh shumë futboll dhe nuk më pëlqen shumë futbolli italian. Ndjek më tepër ato ndeshjet derbi që lufton, ato më pëlqejnë. Jam një tifoz i Interit dhe po e ndjek këto kohë më tepër nga investimet e shumta që ka bërë. Pastaj më duhet ta pranoj se Juventusi është ekipi për t’u marrë shembull dhe për t’u mundur. Më shumë shanse Interi i Kontes që të marrë Serinë A apo Tirana e Memës që të marrë Superioren? Po sigurisht që Tirana e Memës.
Normalisht që jemi bërë për titull, ka shumë investime dhe nuk na mungon asgjë. Dilemat te goli i tretë me Skënderbeun? E bëm kush feston i pari, ai do të marrë autorsinë. E devijova unë, por Hoxhallari e preku i fundit. Unë fal gjithçka, por jo golin, Hoxhallari e preku i fundit. Tani kemi edhe lojtarë me eksperiencë të madhe, që do të na rrëshkas këmba diku, por do të dijmë ta përballojmë. Më pëlqen shumë kur i shoh çunat dhe shoh se ata e besojnë se nuk ka asnjë ekip tjetër më të mirë se ne. Kam një jetë që stërvitem për të fituar titullin kampion. Duke qenë se jam te Tirana, normalisht që do të më pëlqente titulli në stadiumin bardheblu”, ka thënë Batha. /Sport Ekspres/