Vllaznia do të luajë një takim shumë të rëndësishëm kundër Teutës në transfertë, atje ku do të kërkohen pikët jetike. Tifozët shkodranë nuk duan që ta shohin sërish ekipin e tyre të zemrës që të luftojë për mbijetesë dhe të kthehen makthet e së shkuarës.
Por për të mbërritur deri këtu, ka shumë vështirësi. Ndeshja ndaj Teutës nuk do të jetë edhe aq e lehtë, pasi flasim për një skuadër që ka pretendimet e saj për titullin kampion. Trajneri Mirsad Jonuz është shprehur se ka një parandienjë se nuk do të kthehen pa pikë kundër skuadrës së Shkëmbit, megjithëse fitorja do të ishte “qershia mbi tortë”.
“Skuadra është gati dhe kemi pasur 7 ditë që të punojmë shumë. Na janë paraqitur disa probleme që na janë dëmtuar. Ndaj Teutës do të japim gjithçka që duhet për të marrë një rezultat pozitiv. Të gjithë bashkë do të gëzoheshim nëse fitonim. Unë personalisht e ndiej se do të kthehemi me një rezultat pozitiv prej andej. Flasim për dy ekipe që e njohin mirë njëra-tjetrën”, ka thënë Jonuz. /Sport Ekspres/