Tirana do të përballet ndaj Skënderbeut, në takimin e vlefshëm për javën e katërt të Superiores. Ndërkohë që pritej nga ana e trajnerit Mema të fliste për vështirësinë e madhe me kualitetet e korçarëve, tekniku i kryeqytetasve është ndalur më së shumti tek një nënvlerësim që mund t’i bëjnë lojtarët e tij Skënderbeut, nisur nga problemet që ka në kohët e fundit.
Gjithashtu Mema ka thënë se nuk do të aktivizojë as Torasën, megjithëse ka shprehur gatishmërinë për të qenë në fushë. “Çdo kundërshtar ka specifikat e veta dhe sado i dobët të jetë në letër, pa përqendrimin e duhur të sjell vështirësi. Ne duhet t’i bëjmë “hyzmetin” deri në fund, sepse nuk ka ndeshje të thjeshta. Skënderbeu ka trajner të shkëlqyer, që u merr maksimumin lojtarëve. Skënderbeu nuk është një skuadër që mund të merret lehtë dhe pa përqendrim. Nëse thuhet se është skuadër e dobët, është gabim, sepse është ndeshja më e rëndësishme e muajit. Nuk e ka shkëlqimin e dikurshëm, por është ekip i mirë.
Torasa nuk është i gatshëm për nesër. Ka shprehur gatishmëri për të luajtur, por nuk e rrezikoj ta humbas gjatë vetëm për një ndeshje. Osmani? Është herët për të folur, por mendoj se Osmani ka pjesën e vet. Ai është një pikë e fortë për skuadrën.
Objektivi: Ne luajmë për 3 pikë dhe duam që t’ia marrim çdo ekipi. Kjo pjesë të bën për titull dhe nuk mund të bësh hapa fals e më pas të jesh pjesë e elitës. Në skuadër duhet mentalitet fituesi. Për sa kohë t’i bëjmë “hyzmetin” çdo ndeshjeje, janë edhe pikët në mes. Objektivi është që të fokusohemi ndeshje pas ndeshjeje”, ka thënë Mema. /Sport Ekspres/