Sokol Cikalleshi ka arritur që të rikthehet me ekipin e Akhisasporit, pas nivelit fantastik që ka kaluar te Kombëtarja. Asnjëherë më parë nuk ishte grumbulluar sulmuesi shqiptar nga ekipi turk, pasi kishte dyshime edhe për të ardhmen e tij.
Por gjithçka ka mbaruar dhe Cikalleshi po gëzon një formë të mirë pasi shënoi ndaj Francës dhe Islandës. Në ditën e djeshme është kryer edhe stërvitja e parë për vazhdimin e kampionatit turk.
Nga një “luftë”, te tjera. Nuk do të jetë aspak e lehtë për Sokol Cikalleshin që të zërë vend në formacion, pavarësisht asaj që bëri në kualifikueset e Europianit. Këtë ia ka thënë hapur edhe trajneri i Akhisasporit, Mehmet Altiparmak, që për mediat është shprehur se lojtarët e tij do të jenë njësoj 11 në numër në fushë, pavarësisht emrave.
“Cikalleshi do të luajë nëse është mirë, nëse është keq do të ulet në stol. Këto gjëra nuk kanë të bëjnë me emrat. Fusha është lufta. Ju kurrë nuk do të dëgjoni probleme të tilla nga goja ime. Përsa kohë ne kemi 11 njerëz në fushën e lojës, nuk ka asnjë problem.
Të gjithë lojtarët e mi kanë aftësi dhe cilësi për të luajtur, prandaj nuk ka asnjë problem se kush luan. Sigurisht që pjesëmarrja e Cikalleshit e shton më shumë konkurrenëcën. Nuk kemi nevojë të diskutojmë shumë për Sokolin, por kemi lojtarë po aq të mirë sa ai. Më i miri, do të luajë. Jemi të lumtur që e shohim në mesin tonë”, u shpreh Altiparmak, duke e “mirëpritur” në këtë mënyrë ardhjen e sulmuesit të Shqipërisë, që tashmë duhet të ndez sërish motorët për t’u ngjitur në nivele të larta, pasi vendi në fushë nuk i garantohet. /Sport Ekspres/