Probleme kanë lindur mes Bashkisë së Shkodrës dhe punonjësve që ka në administrim sa i përket klubit të Vllaznisë, të cilët së fundmi janë ngritur në protestë për shkak se nuk janë paguar për një periudhë 5 mujore. Personat e ngritur në protestë janë punonjësit e stadiumit “Loro Boriçi”, punonjësit e fushës sportive “Reshit Rusi” dhe trajnerë të akademisë “Vllaznia”. Sipas asaj që raporton “Shkodra sport”, në mbështëtje të protestuesve ishte edhe Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Albert Tuka.
Ky i fundit ka thënë se Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka akorduar një fond prej 200 milion lekësh të vjetra, por që nuk është kaluar nga prefektura e qarkut Shkodër.
Mbi këtë çështje ka reaguar edhe Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila deklaron se kjo situatë është jashtë përgjegjësisë së saj. Ademi shprehet se Këshilli Bashkiak ka dhënë miratimin për alokimin e fondeve, por kjo nuk është kaluar ende nga Prefekti i qarkut të Shkodrës. Paratë janë në dispozicion nga bashkia, por kjo e fundit nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin për përdorimin e tyre, shton Kryebashkiakja./Sport Ekspres/