Sokol Cikalleshi është rikthyer në formën më të mirë te Kombëtarja e Shqipërisë. Vendimtar ishte edhe në mbrëmjen e sotme, atje ku kuqezinjtë fituan 4-2 ndaj Islandës.
Goli i qetësisë do të vinte pikërisht nga këmbët e këtij sulmuesi, që shënoi edhe golin e nderit me Francën. Në një prononcim ekskluziv për “Sport Ekspres” menjëherë gjatë përfundimit të ndeshjes, Sokol Cikalleshi na tregon edhe mbi ofertat që kanë mbërritur në drejtim të tij gjatë merkatos së verës.
“Të them të drejtën ishte e vështirë ndaj Islandës, derisa arritëm të gjejmë golin e parë. Ne shënuam 4 gola ndaj ekipit që mbron shumë mirë në anën fizike. Duke pasur një tjetër partner në sulm është më e thjeshtë. Ne jemi ekipi i vogël dhe duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin.
Në lidhje me aspektin personal, kishim një negocim me klubin për të bërë një transfertë. Për të folur më konkretisht, kishte kontakt me Leçen, Rizesporin dhe Antaliasporin. Nuk u konkretizuan për arsye të ndryshme dhe mbi të gjitha, nuk gjetëm gjuhën e përbashkët. Por gjithsesi do të vazhdoj të jem pjesë e Akhisasporit dhe uroj të bëj mirë atje, po ashtu si edhe me Kombëtaren”, u shpreh Cikalleshi. /Sport Ekspres/