Në momentin e vështirë që po përjeton Kombëtarja e Shqipërisë, sikur të mos mjaftonin sulmet nga të gjitha anët, braktisja nga njerëzit të famshëm dhe të njohur në vend, lojtarët kuqezinjë duhet t’i bëjnë ballë edhe konflikteve me figurat e shquara të kësaj Kombëtare.
Pas humbjes së marrë në rezultatin 4-1 ndaj kampionëve të botës, Francës, janë hedhur edhe disa sygjerime për “varjen e këpucëve në gozhdë” mbi lojtarë të ndryshëm. Sigurisht që e thënë në një moment gjaknxehtësie, e gjitha kjo edhe mund të kuptohet.
Por sidomos në rastin e Mërgim Mavrajt dhe legjendës së Shqipërisë, Rudi Vatës, që kërkon me patjetër largimin e kapitenit nga ana e kuqezinjëve. Ndoshta edhe ajo arritje në Europianin e Francës e ka ngritur së tepërmi stekën për të kërkuar kualifikime të njëpasnjëshme në arenat europiane.
Për ta analizuar më hollësisht duhet të theksojmë faktin se pikërisht me Mërgim Mavrajn si një shtyllë kryesore në mbrojtje, së bashku me Lorik Canën, arritëm të përjetonim para pak kohësh arritjen për herë të parë në histori ku shkuam në Europianin e Francës.
Kjo nuk është pak dhe sigurisht që këta lojtarë që dikur ishin heronjtë e një Shqipërie të gjithë, kërkojnë më shumë mbështetje kur janë në vështirësi. Pasi kur janë në momentet e mira, kanë dashurinë e të gjithëve.
Rudi Vata flet edhe për një ndërrim brezash që duhet të ndodhë te Shqipëria. Por pyetja e madhe që mund të thuhet: “A do të jetë edhe Roko Vata pjesë e këtij ndryshimi të brezave për ta nisur që nga moshat?”.
Djali i Rudi Vatës luan me Celtic dhe shihet si një nga talentet më të mira që kanë gjigandët skocez, madje në shumë raste duke qenë imazhi kryesor i klubit dhe duke pozuar me lojtarët e ekipit të parë. Por ende nuk dihet saktësisht, nëse ky lojtar që është ende i vogël, në moshën 13-vjeçare por që shihet me një të ardhme të ndritur, do të përfaqësoj Skocinë apo Shqipërinë. Gjithçka ka qenë ndryshe në rastet e legjendave si Foto Strakosha dhe Igli Tare, që e kanë bërë të qartë se djemtë e tyre do të përfaqësonin vetëm Shqipërinë.
Thomas Strakosha është pjesë e Kombëtares, ndërsa edhe Etienne Tare që është vetëm në moshën 15-vjeçare ka pohuar pak kohë më parë se nuk ka asnjë dyshim të vetëm, për të përfaqësuar fanellën e Kombëtares së Shqipërisë. /Sport Ekspres/