E bën me Shqipërinë dhe tani Kosova, Armand Duka ka një mesazh domethënës për “VIP-at”

E bën me Kombëtaren e Shqipërisë dhe tani po e bëjnë me përfaqësuesen e Kosovës. Sa shumë dekorata që kanë dhënë politikanët shqiptarë, pritje në aeroport, krenari nga “Facebook-u” dhe rrjetet sociale, në kohën që djemtë tanë kuqezi po shkëlqenin me rezultatet e tyre.

Mjafton një moment i keq për t’u përjetuar dhe menjëherë nis largimi për të shkuar diku tjetër, brenda trevës shqiptare, në bazë të interesit. Kush po ecën më mirë në rezultate tani? Kosova!

Llogaria është e thjesht, me politikanët që kërkojnë të përfitojnë deri në maksimum nga një pjesë që nuk u takon. Shumë prej “VIP-ave” tanë kanë zgjedhur që të ndjekin Kosovën në takimet e fundit dhe duke bërë zgjedhjen e duhur, por nga ana tjetër kanë harruar të shkruajnë qoftë edhe një fjalë mbështetëse për Kombëtaren në këto ditë të vështira. Në këtë linjë mendimi, është ajo që parashtron edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka me postimin e tij në “Facebook”:

Reagimi i plotë

Dy fjalë për tifozat Vip dhe ata kuqezi

Rastësisht, sot pashë një status të një tifozeje të thjeshtë (Jo vip ) të Kombëtares Shqiptare, që mendoj në fakt se është zemra e çdo tifozi Kuq e Zi : ” KOMBËTARE, DO TË VAZHDOJ TË TË DUA, EDHE NË DITË TË MIRA, EDHE NË DITË TË KËQIJA” . Është një mesazh në fakt që përpara se ta lëshoja unë si President i Federatës së Futbollit, do ishte më e dobishme ta dëgjonim nga goja e të parëve të shtetit apo të ashtuquajturit tifoza Vip që vijnë në stadiume vetëm kur jemi në fitore.

Në fakt, nuk ka të papritura, Vipat tanë kudo ku ndodhen, në politike dhe jashtë saj, turren gjithmonë për t’u bërë pjesë e pamerituar e suksesit të të tjerëve: kështu po bëjnë sot me Kombëtaren e shkëlqyer të Kosovës, madje po turren më shpejt për të shqyer “tortën e suksesit” me shpejt se dhe vetë polikanët kosovarë apo Vipat kosovarë…Më kujtohet tre vjet më parë kur disa prej tyre ishin gati ta ndërronin foton e Ismail Qemalit me atë të Gianni De Biasit..Duke mos i kursyer duartrokitjet për Kombëtaren e Kosovës, tifozë të dashur Kuq e Zi, mos u bëni si Vipat tanë: nuk është aspak qytetari ta duash kombëtaren e vendit tënd vetëm kur është në ditët më të mira: duajeni Kombëtaren dhe kur nuk është në ditët e saj më të mira, se me dashurinë tuaj ditët e mira vijnë shpejt: u mposhtëm nga Kampionët e Botës, por ëndrra jonë nuk ka mbaruar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *