VIDEO: Çfarë drame, amerikanet në finale dhe Anglia del mes lotëve!

Gjysmëfinale e pabesueshme në Kupën e Botës në futboll për femra, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kualifikohen pas fitores dramatike 2-1 ndaj Anglisë.

Në një finale të parakohshme, Amerika nisej favorite me të drejtë, sepse ka një ekip të shkëlqyer, por para startit bëri bujë ulja në stol e një prej yjeve të ekipit, Megan Rapinoe, e cila ditët e fundit ka thënë fraza të forta kundër presidentit amerikan Donald Trump.

Gjithsesi, mungesa e saj nuk u ndje shumë dhe Amerika shënoi që në minutën e dhjetë me Press.

White, ylli i sulmit anglez, barazoi në minutën e 19-të, duke shënuar në çdo ndeshje këtë Botëror, por ju përgjigj ylli amerikan Alex Morgan, e cila në minutën e 31-të shënoi golin që më pas vendosi fatet e takimit.

Në pjesën e dytë Anglia u përmirësua dhe ushtroi shumë presion, derisa fitoi penallti në minutën e 84-t, por Naeher priti bukur gjuajtjen nga Houghton.

Nervat në kulm dhe  në minutën e 87-të Bright kreu një ndërhyrje të rëndë ndaj Morgan, duke marrë kartonin e dytë të verdhë. Pas një shtese të gjatë, Amerika ia doli të siguronte vendin në finalen e Botërorit, ndërsa Anglia ndalet një hap larg ëndrrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *