Anglia U-21 ka rezultuar një nga dështimet më të mëdha të Europianit që po zhvillohet në Itali për grupmoshën U-21.
Kombëtarja e “Tre Luanëve” të vegjël është eleminuar vetëm pas dy ndeshjeve të para, teksa ka pësuar dy humbje të hidhura ndaj Francës dhe Rumanisë.
Në lidhje me eleminimin nga turneu ka reaguar portieri Henderson, i cili është një lojtar në pronësi të Mançester Junajtid. Gardiani ishte një ndër fajtorët kryesorë të dështimit, pasi bëri një gafë të pafalshme ndeshjen e fundit ndaj Rumanisë.
Gjithsesi, duket se Henderson nuk ka aspak modesti. Duke folur për mediat angleze, portieri shpërtheu duke thënë se Anglia është ekipi më i mirë i turneut dhe se Franca, Rumania apo kushdo ekip tjetër nuk mund të maten me ta.
“A jemi më të mirë se Rumania? Po! A jemi më të mirë se Franca? Po! Shikoni lojtarët dhe ekipet. Jemi skuadra më e mirë në këtë turne. Kushdo ekip që do ta fitojë Europianin, ne e dimë që mund ta mundim si ekip. Ne erdhëm këtu për të fituar!”