Argjentina mori një humbje mjaft zhgënjyese ndaj Kolumbisë, teksa u mposht me shifrat 0-2, në një sfidë ku albiçelestët mund të dilnin edhe me kokën lart.
Kjo për shkak të pjesës së dytë, ku këta të fundit krijuan disa raste shënimi dhe me pak fat mund të kishin kaluar në avantazh. Pikërisht nga fraksioni i dytë i luajtur ndaj Kolumbisë, kërkon kapiteni Mesi që Kombëtarja e tij të përqendrohet.Lionel Mesi foli pas ndeshjes, ku normalisht u shfaq i zhgënjyer. Sidoqoftë lideri i Argjentinës deklaroi se ekipi duhet të ringrihet dhe të përqendrohet në 30 minutat e para të pjesës së dytë ndaj Kolumbisë.
“Nuk donim ta nisnim kështu, por na duhet ta pranojmë. Gjithsesi, është vetëm fillimi. Të ngremë kokën dhe të vazhdojmë. Duhet të përqendrohemi te 30 minutat e pjesës së dytë. Ajo është rruga dhe ideja që na duhet të ndjekim.
Tani ka ndodhur ajo që ka ndodhur. Çelësat për të kaluar më tej i kemi vetë në dorë tonë në dy ndeshjet e radhës. Gjithçka luhet shumë shpejt në kompeticione të tilla dhe nuk ka shumë kohë për të menduar. Duhet të fitojmë që të shkojmë përpara.”