Janë mbyllur pjesët e para në dy ndeshjet e mbrëmjes së sotme të UEFA Champions League, të vlefshme për fazën e 1/8-ave. Plot pesë gola të shënuara, ku Junajtid udhëheq ndaj PSG 1-2, ndërsa Porto e Roma janë ndarë në barazim 1-1.
Në Paris nisi gjithçka vrullshëm, ku kanë mjaftuar vetëm dy minuta për Mançester Junajtid për të heshur “Parc des princes” dhe për të besuar te një mrekulli. Një gabim i Kehrer dhe Tiago Silvës, të cilët nuk u morën vesh me njëri-tjetrin sollën golin e parë për “djajtë e kuq”.
Romelo Lukaku ishte ai që përfitoi, me sulmuesin belg i cili shmangu dhe portierin duke çuar topin në rrjetë. Tashmë, rezultati i përgjithshëm shkon në 2-1 në favor të PSG, me ekipin e Solskjaer, që është futur në lojë për kualfikimin.
Gjithsesi, festa nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 11-të ishte Huan Bernat, i cili baraspeshoi gjithçka. Një dalje e Kilian Mbape, me këtë të fundit që hodhi një top të zonë, solli golin e dytë të ndeshjes, ku Huan Bernat shtyu topin në rrjetë, duke çuar peshë tifozët e tij.
“Djajtë e kuq” nuk u dorëzuan dhe në minutën e 30-të, rihapën përsëri çështjen e kualifikimit me anë të Lukakut. Një gafë e Bufon pas goditjes së Rashford, bëri që sulmuesi belg të shënojë golin e dytë për Juanjtid.
Në Portugali, Porto e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke ushtruar presion që në minutat e para. Presion, që u shpërblye në minutën e 26-të kur Marega gjeti bukur Soares, i cili e ndali topin në fundin e rrjetës.
Gjithsesi, miqtë nga Italia arritën të reagonin 11 minuta më vonë, ku Militao shkaktoi një 11-metërsh pas ndërhyrjes ndaj Perrotit. Kështu, te pika e bardhë u drejtua kapiteni De Rosi, i cili u tregua i saktë dhe vuri baraspeshën.