Stefan Dalmat nuk mbahet mend shumë nga tifozët e rinj, por francezi luajti për katër sezone me Interin gjatë viteve 2001-2005, ku zhvilloi 48 ndeshje dhe shënoi 3 gola. Ish-mesfushori ka zgjedhur lojtarin më të mirë me të cilin ka luajtur, kundërshtarin më të mirë dhe atë më të ashpër.
Të tre janë emra të famshëm, ndërsa Dalmat shpjegon zgjedhjet e tij, duke zbuluar dhe detaje interesante gjatë prononcimit të tij.
MË I MIRI – “Lojtari më i fortë me të cilin kam luajtur është Ronaldo. Fenomeni ka revolucionarizuar futbollin. Ai zotëronte gjithçka: teknikë, fizik dhe potencë. Ishte një gjeni. Për mua mbetet më i madhi i të mëdhenjve. Ai ishte si një fëmijë, flinte gjumë, qeshte dhe i pëlqente të bënte shaka. Futbolli për të ishte vetëm një lojë.”
KUNDËRSHTARI MË I FORTË – “Huan Sebastian Veron. Argjentinasi kishte një teknikë, një lehtësi për të luajtur dhe ishte e bukur ta shikoje duke luajtur, edhe kur e kishe kundërshtar. Edhe ai vraponte dhe kishte shumë karizëm. Kur luanim kundër Lacios, qëllonte që të isha shpesh në zonën e tij.”
MË I ASHPRI – “Xhenaro Gatuzo. Gjatë derbit tim të parë të Milanos, ai kishte mision për të më bllokuar mua. Ndjeja një qen pas meje. Atë ditë humbëm 6-0. Ishte tepër e vështirë, Xhenaro ishte i keq dhe kjo gjë vihej re nga gjestet dhe fjalët që thoshte.”