Tomori i kthehet kampionatit dhe nga dita e shtunë nis nga Ballshi misionin e mbijetesës në Kategorinë e Parë, duke qenë shumë larg parashikimeve dhe shpresave të drejtuesve në fillim të sezonit.
Luhet në fushë asnjanëse për shkak të dënimit të fushës dhe përballja e radhës ndaj Elbasanit është një finale e vërtetë, sepse ngjarjet e fundit kanë bërë që Tomori të humbasë pikë në fushë e jashtë saj, duke qenë tashmë rrezikshëm pranë fundit të tabelës.
Gjithsesi, arritja e objektivit minimal sezonal është e sigurt, sipas mesfushorit Endri Mersini. “Pavarësisht se do të luajmë në një fushë asnjanëse si ajo e Ballshit, unë dhe gjithë skuadra jemi të bindur se me vlerat dhe përbërjen cilësore që ne kemi aktualisht, as që nuk do ta diskutojmë as fitoren ndaj Elbasanit dhe po kështu as mbijetesën në Kategorinë e Parë”, shprehet Mersini, i cili pas rikuperimit të tij është duke i qëndruar pranë skuadrës dhe motivuar në maksimum për fitoren e mundshme përballë Elbasanit në fushën asnjanëse të Ballshit këtë fundjavë.
EDI SPAHIU