Nëse në 14 ndeshjet e luajtura gjatë vitit 2019 në Kategorinë e Parë do të kishte dalë më shumë në dukje ana financiare teK Iliria e Fushë-Krujës, situata mund të kishte ardhur në përmirësim gradual. Sepse zakonisht në fundvitiT, institucionet shtetërore dhe ato private e zgjidhin qesen me paga të 13-ta apo me shpërblime. Për lojtarët e Ilirisë këtu do të dilnin ato pagat e prapambetura, nëntor-dhjetor 2018.
Me këtë arsye ka nisur bojkoti i përgatitjeve për vitin 2019, ku pjesa më e madhe e futbollistëve titullarë nuk pranojnë të dalin në stërvitje pa u paguar. Ndërsa kërkohet reagim e një përgjigje për këtë situatë, për SportEkspres.com drejtues të Ilirisë ngrejnë supet, a thua se ky veprim i “ngushëllon” xhepat e futbollistëve që me fanelën e kësaj skuadre kanë përballuar trysninë e kampionatit në 14 javë.
Tashmë nuk bëhen as 11 lojtarë në stërvitje, që trajneri Fatmir Sala të kërkojë “borxh” te skuadra e të rinjve për të plotësuar organikën, ndërsa nuk bëhet fjalë për përforcime që merkato ka në misionin e saj në këtë periudhë. Nisur nga kjo situatë që u paralajmërua seriozisht nga largimi i portierit titullar Elson Demi, duket se Iliria po nënshkruan për mbijetesën në Kategorinë e Parë, sepse në fazën e tretë që pikët e skuadrave përgjysmohen, ngarkesa fizike dhe psikologjike e lojtarëve është më e madhe.
AGRON KAJA