Mançester Siti do të luajë nesër ndaj Lionit në Francë. Krahas faktit që do të luajnë në fushë kundërshtare, një problem tjetër për skuadrën e Pep Guardiolës janë dhe dëmtimet e shumta që kanë pësuar lojtarët e repartit të mesfushës.
Bernardo Silva, Kevin De Brujn dhe Ilkai Gyndogan nuk do të udhëtojnë drejt Lionit dhe në mungesë të tyre, teknikut spanjoll i ngelen vetëm tre mesfushorë. Veteranët Fernandinjo dhe David Silva do të vihen përkrah të riut anglez Fil Foden, ky i fundit një produkt i akademisë së Sitit dhe një prej talenteve më premtues të futbollit anglez.
Me shumë gjasa 18-vjeçari Foden do të luajë nesër për herë të parë si titullar në një ndeshje të Champions-it. Mesfushori i talentuar shihet një prej lojtar me perspektivë dhe gjatë muajve të fundit, drejtuesit e Sitit po mundohen të marrin firmën e të riut për një rinovim të kontratës, që aktualisht i mbaron në vitin 2020.