Një kompeticion i ri, që mënjanonte miqësoret e panevojshme dhe garantonte të paktën katër bileta në Euro 2020. Liga e Kombeve, risia e madhe e UEFA-s, nisi rrugëtimin prej shtatorit 2018, por mes skepticizmit dhe kritikave në shumë vende, arriti të fitonte popullaritet. Pas ndeshjeve në grupe, verdikti: Kosova është historia më e madhe e suksesit të turneut.
Ky është përfundimi i publikuar në revistën prestigjoze “Forbes”, sipas të cilës turneu fitoi duelet e luksit, ndërmjet ekipeve më të mëdha, bëri që skuadrat mesatare në kontinent të luanin me kundërshtarë të të njëjtit nivel, ndërsa i dha skuadrave të vogla mundësinë që të shkruanin momentin më të rëndësishëm në historinë e tyre të futbollit.
Mbi të gjitha spikati përfaqësuesja e Kosovës, e cila është njohur zyrtarisht vetëm në vitin 2016, por me fitoren 4-0 përballë Azerbajxhanit, tashmë po përjeton një ëndërr. Prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, shteti më i ri në Europë luftoi gjatë që të pranohej si anëtar me të drejta të plota pranë FIFA-s dhe UEFA-s dhe e nisi ekzistencën pa lojtarë, pa stadium, por vetëm me shpresën drejt së ardhmes. Aq mjaftoi! Tashmë, në distancën e pak muajve, Kosova ka një shans të madh, që të kualifikohet në fazën finale të Euro 2020.
Pas debutimit ndërkombëtar në kualifikueset e Botërorit 2018, “Dardanët” vazhduan të përforcohen me yje të rritur thuajse në të gjithë kontinentin. Emërimi i Bernard Shaland në stol i dha një impuls të ri afrimeve të talentëve, lojës dhe organizimit. Kosova shkëlqeu në grupin e saj në Ligën D, duke e mbyllur vitin pa humbje. Tashmë do të luajë në fazën gjysmëfinale përballë Maqedonisë, me synimin të luajë në finale kundër fitueses së çiftit Bjellorusi-Gjeorgji.
Kosova dhe tifozët në Prishtinë e kanë kthyer çdo ndeshje në shtëpi në festë të futbollit. Stadium i mbushur, mbështetje e jashtëzakonshme dhe shumë entuziazëm. Paraqitjet e skuadrës përfaqësuese janë shumë të rëndësishme për njerëzit dhe emocionet janë lehtësisht të dallueshme në tribuna nga mbështetësit dhe në fushë nga futbollistët.
Edhe pse nuk arriti të afronte yje të nivelit botëror si Xherdan Shaqiri apo Granit Xhaka, Kosova ka në dispozicion talente të perspektivës. Një brez i ri futbollistësh, të cilët kanë lindur pas emigrimit masiv, për shkak të luftës në fund të viteve ’90. Janë pikërisht ata e ardhmja e skuadrës. Të stërvitur në kushte tejet të mira, të rritur si profesionistë dhe të gatshëm të japin gjithçka për vendin e origjinës.
Nga Arbër Neziri, të Valon Berisha, Arijanet Muriç, Milot Rashica e dhjetëra të tjerë. Shansi i pjesëmarrjes në një turne madhor, është një mundësi e artë. Rruga drejt një ëndrre për një skuadër që në debutimin e saj në kompeticionet ndërkombëtare, në shtator 2016 në fushën e Finlandës, kishte vetëm 12 futbollistë të cilët mund të luanin. Më pas erdhën ndeshjet në “Loro Boriçi” të Shkodrës, sepse nuk kishin një stadium të licensuar dhe dueli me Ukrainën, që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe për këtë arsye takimi u zhvillua në Poloni.
Kosova i kaloi të gjitha ato momente të vështira. U pasurua me talente nga e gjithë Europa. U rrit me kalimin e kohës dhe tashmë është një skuadër që dhuron futboll të bukur, emocione dhe arrin rezultate të shkëlqyera. Ekipi i Shaland ishte fitues i grupit në Ligën e Kombeve, duke mos pësuar asnjë humbje, me 15 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar. Kosova u ngjit në Ligën C, me të ardhmen që duket më e shndritshme se kurrë.