Interi luan. Nuk dorëzohet. Provon të marrë rezultat pozitiv dhe në fund ia del. Zikaltërit u shfaqën një kockë e fortë për Barcelonën, që ishte sërish pa Mesin, duke marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e kthimit në Champions League ndaj katlanëve.
Sfida në “Meacan” e mbushur me numër rekord tifozësh përfundoi në barazim 1-1. Skuadra e Spaletit e kërkoi fitoren, vuajti cilësinë e jashtëzakonshme të “blaugranave”, madje e pa edhe vetëm në disavantazh vetëm 7 minuta përpara fundit, kur Malkom, i sapo futur në lojë, shënoi për miqtë.
Por, Interi nuk u dorëzua, luftoi deri në fund dhe në të 87-n gjeti golin e barazimit me Mauro Ikardi. Edhe një herë kapiteni u shndërrua në heroin e skuadrës, duke u ndodhur në vendin e duhur, në momentin e duhur, për ta dërguar topin në rrjetë.
Ndërsa me barazimin Barcelona hipotekoi kualifikimin (10 pikë në 4 ndeshje), Interi merr një pikë tejet të rëndësishme për llogaritë e grupit B, pas ngjitet në kuotën e 7 pikëve dhe mban në distancë sigurie Totenhemin, që me fitoren 2-1 me përmbysje ndaj PSV Eind’hoven qëndron në garë.
Londinezët iu falën yllit të skuadrës, Heri Kejn, që me dy gola në harkun e 12 minutave në fundin e ndeshjes (78’ dhe 89’), bëri të pavlefshëm avantazhin e holandezëve, në pjesën e parë me de Jong. Sfida e radhës, ajo e 28 nëntorit me Interin vlen sa një finale, sepse fituesi do të ketë shanse të mëdha për të vazhduar më tej.