Kur dy grinden, një i tretë del i fituar. Kjo vlen për atë që ndodhi në Grupin 2 të Ligës B në Nations League. Rusia dhe Suedia u përballën ndërmjet tyre me objektivin për të fituar. Rusët për të nisur shkëputjen në krye të grupit, ndërsa skandinavët me synimin që të grumbullonin pikët e para të aktivitetit.
Në fund, skuadrat u ndanë në barazim 0-0, në një ndeshje ku rastet e mira për shënim nuk munguan. Rusia provoi mes të tjerëve me Xhjuban, Çerishev dhe Golovin, të cilët nuk kishin saktësinë e duhur, ndërsa te Suedia provuan Telin, Grankvist e Berg. Në total 12 tentativa për shënim për vendasit, ku portieri suedez Robin Olsen shpëtoi edhe një gol të sigurt, ndërsa në anën tjetër, miqtë provuan 10 herë portën.
Megjithatë, në fund skuadrat ndanë nga një pikë, një rezultat që më tepër sesa ekipet në fushë, kënaqi Turqinë, që në këtë rast ishte spektatore. Turqit kishin fituar ndeshjen e parë ndaj Suedisë në trasfertë, por më pas u mposhtën nga Rusia në shtëpi. Barazimi i së enjtes bën që rusët të ngjiten në kuotën e 4 pikëve, me Turqinë që ka tre pikë, ndërsa grupi me tre skuadra mbyllet nga Suedia me vetëm një pikë.