Një Strakosha analizon paraqitjen e Strakoshës në derbi. Babai Foto, legjenda e portës kuqezi, foli rreth paraqitjes së portierit aktual të Kombëtares, Tomait, në derbin ku Lacio humbi përballë Romës, me të paktën dy episode që nuk ishin në favor të “gardianit” të talentuar.
Duke folur në emisionin “Zona Gol” në “SuperSport”, Foto Strakosha tregoi ankthin dhe përjetimin e derbit, ndërsa si një trajner i rreptë dhe nnjë prind kërkues, nuk nguroi të evidentonte gabimet e Tomait gjatë ndeshjes.
“Stresi nuk ndryshon, po i njëjti mbetet si në rastet kur derbin e ndjek nga stadiumi, ashtu edhe nga televizori. Megjithatë, është më e vështirë në televizor, sepse nuk e ke opinionin e saktë për atë që ndodh në të gjithë gjërësinë e fushës. Ekrani tregon më tepër kur momenti i lojës shkon te porta”.
“Golat e pësuar ndaj Romës? Nëse duam që të korrigjohet apo të bëhet më i mirë, vërtetë duhet komplimentuar për pritjet, por në radhë të parë duke parë nga gabimet duhet të rritet. Kjo është në edukatën e punës së Tomit”.
“Çfarë mund të bëhej më tepër në golin e Kolarov? Pozicioni ku ishte vendosur. Pa u nisur Kolarov, dy tre lojtarë të Romës ishin përpara murit mbrojtës dhe dy-tre të tjerë shkuan për ti markuar. Në atë moment është detyruar të shohë topin, por edhe kur kundërshtari të vendoset aty, portieri është i detyruar të qëndrojë te pozicioni i tij. Duhej të ishte pozicionuar më tepër nga e majta e tij. Edhe pse kundërshtarë përpara, portieri duhet të mbajë pozicionin e vet”.
“Diskutuam për ndeshjen një ditë pas derbit. Jam i bindur që ai e ndjen shqetësimin e familjes dhe të babait, por me bindje të plotë e them që, Tomai e ka kuptuar vetë ku gaboi dhe nuk ishte e nevojshme ta ngacmoja”.
“Çmimi i tërhequr për Tomain në mbrëmjen Ambasadorët e Sportit? Gëzimi dhe kënaqësia ishte e dyfishtë. Njeriu më i denjë për ta marrë shpërblimin ishte bashkëshortja ime dhe nëna e Tomit, sepse ishte edukata që ajo i ka mësuar gjatë këtyre viteve. Ishte një rastësi e bukur që Tomi nuk mund të paraqitej personalisht, sepse kishte ndeshje dhe çmimin e mori nëna e tij”.
“Ofertat për Tomain, Tare tha se nëse Alison kushtoi 80 milionë euro, strakosha kushton 81 milionë? Çmimin e di Lacio. Ai është pjesë e Lacios në këtë sezon dhe për tre vjet të tjera në vazhdim. Nga ana profesionale dhe emocionale, Tomi është i lumtur që është pjesë e atij klubi. Nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim, që të kalonte diku tjetër. Kush është interesuar? Nuk mund ta themi dot. Nga momenti që nuk është zyrtare, nuk mund të flasim me emra”.
“Talentët shqiptarë në Greqi dhe vendet e tjera? Nga ekipet zinxhir deri tek të rinjtë shikon futbollistë premtues dhe beson se në të ardhmen do të kenë nivel të lartë. Vështirësia qëndron te hapi nga të rinjtë drejt ekipit të parë. Më shqetësues është fakti që nuk ka më prurje nga Itali, që aty ka më tepër mundësi. Nga aty mund të vijnë më tepër lojtarë cilësorë”.
“Paraqitjet e Partizanit dhe rikthim te titulli? Është për të ardhur keq kur emra kaq të mëdhenj si Dinamo, Partizani apo Vllaznia të mungojnë nga kampionati shqiptar. Për Dinamon është një histori e dhimbshme, jo vetëm për mua, apo për tifozët e Dinamos, por edhe për kundërshtarët. Partizani në këtë sezon po tregon vlera pozitive”.
“Partizani nuk e nisi me pretendimet e viteve të mëparëshme. Shifrat e tyre janë shumë pozitive, por gjithashtu po tregon se e dëshiron të shpallet kampion. Shpresoj të ketë vazhdimësi dhe loja e bukur do të vijë. Do kisha dëshirë edhe ndonjë qytet jashtë Tiranës, përshembull më pëlqen një qytet bregdetar si Vlora. Shpresoj që ndoshta edhe ata ta fitojnë”.