Tre gola të pësuar në derbi. Shumë, për një portier elitar, e që në dy prej tyre mund të bëntë diçka më tepër. Por, Tomas Strakosha nuk është i vetmi që i’a humbi ndeshjen Lacios përballë Romës.
Në golin e parë të Lorenco Pelegrinit ndoshta mund të kishte evituar daljen, e cila rezultoi fatale, pasi mbeti i bllokuar mes duelit të El Sharauit me mbrojtësit lacialë, ndërsa golin e dytë të Kolarov me goditje dënimi, e pësoi në shtyllën e tij. Por, statistikat tregojnë se portieri kuqezi nuk ishte lojtari më i dobët.
Përkundrazi, vlerësimi për Strakoshën, bazuar në statistika është më i lartë se gjysma e skuadrës. Mbrojtja e Lacios ishte në një ditë shumë të keqe, duke mos e ndihmuar aspak numrin 1 të portës. Jo në lartësinë e duhur ishin edhe emra si Badelj e Parolo.
Ky i fundit e preku vetëm 20 herë topin, ekzaktësisht sa gjysma e Strakoshës, ndërsa më pak pasime se portieri shqiptar regjistruan edhe Badelj, Luis Alberto e Çiro Imobile. Derbi i Lacios u humb nga performanca e dobët e skuadrës në përgjithësi, ndërsa tani detyra është të ringrihen prej së enjtes ndaj Ajntrahtit të Frankfurtit në Europa League dhe më pas në sfidën e kampionatit me Fiorentinën.