Ende pa zbritur në fushë në Ligën e Kombeve, Skocia është e detyruar të hidhet “all in”. Luhet gjithçka, për gjithçka. Pavarësisht se turneu sapo ka nisur. Situata të kundërshtarët e radhës së Shqipërisë është e nderë. Trajneri Aleks MekLeish rrezikon shkarkimin, vetëm 7 muaj pas emërimit.
Përfaqësuesja skoceze ka zhgënjyer në pesë ndeshjet e fundit miqësore, ku ka fituar vetëm në një rast, duke shënuar një gol. Humbja 4-0 ndaj Belgjikës në “Hampden Park” ngriti të tjera dyshime dhe fitorja ndaj Shqipërisë të hënën është kthyer në detyrim.
“Mund të dal në media dhe të them që fitorja nuk është domosdoshmëri dhe jemi ende në fazën e eksperimenteve”, tha MekLeish. “Duam dhe duhet të fitojmë. Barazimi apo humbja do të ishin një fillim i keq. Edhe në këtë rast gjithçka mund të riparohej rrugës, por duam ta nisim Ligën e Kombeve me marsh të lartë”.
Skocia mungon prej 20 vitesh në turnetë madhorë dhe tifozët kanë humbur besimin. Por, MekLeish kërkon të rishkruajë historinë. “Perceptimi i përgjithshëm është se nuk mund t’ia dalim. Duam t’a ndryshojmë këtë. Lojtarët e kanë të qartë, se duhet të fitojmë ndaj Shqipërisë dhe janë gati. Është shansi që të vendosim gjërat në rrugën e duhur”.