Tomori ka bërë edhe dy afrime së fundmi. Beratasit kanë gjetur portierin që po kërkonin. I riu Everest Braçe nga moshat e Skënderbeut i është bashkuar skuadrës së drejtuar nga Gersi Arbri. Së bashku me Kaloshin do jenë mbrojtësit e katërkëndëshit.
Por Braçe, i cili ka qenë edhe pjesë e grumbullimeve të kombëtareve të moshave, nuk është afrimi i vetëm. Nga Vllaznia është marrë edhe sulmuesi Denis Dyca. Këmbëshpejti shkodran u largua nga kuqeblutë para pak ditësh.
Dyca pjesën e parë të sezonit të shkuar luajti me Kastriotin dhe shënoi katër gola. Tomori i bëri një ofertë sulmuesit dhe ai e pranoi. I riu ka nënshkruar dhe në këtë mënyrë mbyllet edhe merkatoje e beratasve, që do provojnë të rivalizojnë për t’u ngjitur në Superiore.