Dy vjet më parë, Aleksandër Ceferin, presidenti aktual i UEFA-s, që mori vendin e Mishel Platini, do të vinte në Shqipëri dhe do të takonte në ambjentet e FSHF-së, Armand Dukën, kreun e futbollit tonë… Një takim për të shpalosur edhe programin e tij dhe për të gjetur mbështetje, e cila erdhi, nga numri “1” i federatës shqiptare…
Sot, dy vjet më vonë, kur Ceferin rishpall kandidaturën për të mbrojtur “poltronën” e tij, duke e bërë zyrtare, federata shqiptare e futbollit ka zyrtarizuar gjithashtu mbështetjen për sllovenin, sipas komunikatës së publikuar nga FSHF ditën e sotme. Duka, pra, “voton” Ceferin për mandatin e dytë.
“Pas zyrtarizimit të kandidaturës së kreut aktual të UEFA-s, z.Aleksander CEFERIN për një mandat të dytë në drejtimin e organizmit më të lartë të futbollit europian, FSHF dhe Presidenti Armand Duka kanë shprehur mbështetjen ndaj Presidentit Ceferin në zgjedhjet e ardhshme që do të zhvillohen në Kongresin e radhës së UEFA-s në Romë me 7 Shkurt 2019.
Presidenti Duka në letren e tij drejtuar kreut të UEFA-s theksoi rëndësinë e këtij vendimi për ti dhënë vazhdimësi punës dhe zhvillimit të futbollit Europian. Investimeve dhe përmirësimit të imazhit të futbollit.
FSHF mbështet kandidaturën e Presidentit të UEFA-s Aleksander Ceferin”.