Eraldo Harlicaj
Uendi Vecaj do të jetë lojtari më i ri i Teutës, nuk ka më asnjë dyshim. Marrëveshja u mbyll me sukses, pasi drejtori i akademisë së Vllaznisë, Alban Hasani, ndikoi në kalimin e ish-lojtarit të tij tek ekipi i Teutës. Ky i fundit shfrytëzoi miqësinë e tij të mirë me presidentin e durrsakëve dhe Vecaj do të vihet nën urdhrat e trajnerit Bledi Shkëmbi.
“Sport Ekspres” zbuloi lajmin për kalimin e tij te skuadra bregdetare, ndërsa tani mori konfirmimin dhe nga lojtari në një prononcim të tij. “Kam lënë ekipin e Dinamos së Zagrebit për skuadrën e Teutës. Kam nevojë për minuta dhe do të stërvitem fort që t’i arrij me bregdetarët. Kthimin në Superiore nuk e shoh si një hap mbrapa, por si një mundësi shumë të mirë për veten.
“Alban Hasani, që gjej rastin ta falenderoj, më ka folur shumë mirë për skuadrën dhe strategjinë e Teutës. Ata po i japin shumë krah të rinjëve dhe kanë një ekip me ambicie të mëdha. Besoj se do të mësoj shumë dhe nga trajneri Shkëmbi. Fati i madh të stërvitesh dhe të mësosh nga eksperienca e tij. Synimet personale? Të luajë dhe të bëj mirë. Nuk mendoj shumë për veten, por dua që të vë potencialin tim në dobi të skuadrës. Po pres me padurim të bashkohem me grupin”, – u shpreh Vecaj.