Shkëndija arriti të merrte një kualifikim të madh me TNS-në e Uellsit në raundin e parë, por për pak desh rrëzoi gjithçka në takimin e kthimit, pasi e pa veten në disavantazhin 4-0, por fatmirësisht kishte triumfuar 5-0 në sfidën e parë. Gjithsesi, ishte hera e parë që tetovarët merrnin pjesë në Champions dhe eksperienca ndikon. Tani, kuqezinjtë i pret një tjetër sfidë e madhe, pasi në raundin e dytë do të takohen me skuadrën kampione të Moldavisë, Sherifin e Tiraspolit. Një rival mjaft i vështirë, por njëkohësisht dhe i kalueshëm. Një vit më parë moldavët eliminuan Kukësin, më shumë nga fati sesa nga merita sportive.
Këtë edicion të besuarit e Qatip Osmanit kanë mundësinë për të avancuar më tej, por dhe Emini ka mundësinë që të “hakmerret” për eliminimin e një viti më parë, kur ishte pjesë e verilindorëve. Shanset janë reale dhe Shkëndija ishte ajo e ndeshjes së parë me TNS-në, por sot u duhet një tjetër fitore e madhe, si në raundin e parë.
Ëndrra e madhe e Shkëndijës është arritja e grupeve të Europa League-s dhe nëse arrin që të kalojë dhe Sherifin atëherë do u mbetet dhe vetëm një pengesë për të arritur objektivin e madh. Të gjithë presim që kuqezinjtë të na bëjnë krenar në arenën ndërkombëtare. Ndeshja është programuar që të luhet sot në arenën “Filipi II” në orën 20:15.