MotoGP, Markez pa rivalë fiton edhe në Gjermani

Sërish Mark Markez, gjithmonë ai. Spanjolli i Hondas fitoi edhe Çmimin e Madh të Gjermanisë në MotoGP, duke regjistruar suksesin e gjashtë radhazi.

Lideri i Botërorit për pilotë nuk kishte rivalë edhe në cirkuitin e Saksenring. Markez u nis nga “pole position”, administroi në mënyrën më të mirë gomat dhe distancën nga rivalët dhe më pas vendosi të shkëputej, duke kaluar i vetëm në finish.

Në vendin e dytë u pozicionua Valentino Rosi me Jamaha, pozicionim mjaft i mirë për pilotin italian. “Doktori” la pas vetes shokune skuadrës, Vinjales. Me fitoren e regjistruar në Gjermani, Markez e rriti në 46 pikë avantazhin nga Valentino Rosi në klasifikimin e përgjithshëm.

Një shifër që për ironi të fatit është pikërisht numri që mban ikona italiane e motorçiklizmit, ndërsa çështja e titullit duket e mbyllur. Tashmë MotoGP do të nisë pushimet, edhe pse duket e vështirë që gjatë pauzës verore rivalët të gjejnë zgjidhje për të frenuar Markez.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *