Kroacia është pa diskutim surpriza e madhe e kësaj Kupe Bote. Në ndeshjen e fundit me Anglinë, ishte sulmuesi i Juventusit, mario Manxhukiç, ai që vulosi kualifikimin me një gol në minutat shtesë. Shtatlarti ka komentuar para finales së madhe gjendjen e skuadrës si fillim: “Skuadra është në formë. Djemtë po bëjnë mirë. Ne mund të shkruajmë historinë”, është shprehur kroati, duke treguar në një mënyrë apo në një tjetër se skuadra nuk e ka ndjerë dhe aq shumë lodhjen, edhe pse kanë luajtur nga 120 minuta në dy ndeshjet e fundit.
Po ashtu, Manxhukiç është treguar i sinqertë, duke theksuar se goli me Anglinë ka qenë më i rëndësishmi në karrierën e tij: “Pa diskutim është goli më i rëndësishëm në karrierën tim”.
Ka befasuar disi 32-vjeçari, i cili është shfaqur i pa interesuar për “blerjen e shekullit”, ndoshta dhe për faktin se do të jetë i përqendruar për finalen me Francën. Gjithsesi, kur mendohen se do të jenë shokë skuadre pas pak ditësh, atëherë mund të ishte treguar disi më diplomat: “Transferimi i Ronaldos? Nuk më intereson. Jam i fokusuar te ndeshja me Francën”. Ndoshta afrimi i portugezit mund t’i ketë rritur kotat për një largim të mundshëm të Manxhukiçit nga “Zonja e vjetër”, megjithatë për momentin nuk mendohet asgjë veç finales së Kupës së Botës.