Viti 2018 po rezulton një katastrofë për Gjermaninë, që është eliminuar që në grupe nga Kupa e Botës dhe ka pasur plot çështje që u menaxhuan shumë keq, duke nisur nga fotot e Mesut Ozilit dhe Ilkaj Gyndoganit me presidentin turk Erdogan e deri te deklaratat e nxituara të menaxherit të kombëtares, Oliver Birhof (“Ndoshta nuk do duhej ta mernim Ozilin në Botëror”).
Tani lind një çështje e re, sepse ka plasur një sherr mes Federatës Gjermane dhe Bajernit!
Federata ka marrë një letër ankese nga Bajerni, ku i kërkohen shpjegime në lidhje me një kontratë me kompaninë Mercedes, ku shfaqen njëherëshi dy lojtarë të Bajernit. Sipas marrëveshjes, Bajerni lejon vetëm një lojtar të shfaqet në reklama, sepse ka si sponsor Audin. Federata e ka shkelur marrëveshjen në nxitim e sipër, kur hoqi nga skena Ozilin, i cili deri para skandalit me Erdoganin ka qenë imazhi i Mercedesit.
Më pas Mercedesi ndryshoi imazh dhe e kaloi Ozilin në prapaskenë, duke nxjerrë në qendër të posterit të vet Zherom Boateng dhe Xhoshua Kimish, çka ka bërë që Bajerni të mendojë për betejë ligjore, sepse Audi nuk e pranon diçka të tillë.