Eraldo Harlicaj
Sa do të doja të isha Voltanë, të hapja sytë fort e të thoja me vete: “Çfarë dreqin jam duke ba?”. Të futesha nën petkun e kostumit zyrtar e të kujtoja deklaratat e statuset “arritëm vendin e 4-t falë një menaxhimi perfekt. Nuk ishte aq e vështirë, nëse punon si duhet”.
Të isha njëherë pas syzeve të saj dhe të kuptoja optiken e të parit të situatave në kohën kur bërtiste me të madhe “Vllaznia do të shitet në maj, qershor, korrik…”, e tani një Zot e di kur!
Të hyja njëherë në mendjen e presidentes dhe të kuptoja frazat që i pëshpëriste gazetar Bepin Kolvata në momentin që e pyeste për rrëzimin e Vllaznisë, “Bep, t’lutem Bep. Asht turp, mor Bep”, – fliste me paturp!
Vetëm një moment të isha këshilltari i Voltanës e të kuptoja recitalin mediatik për të mbrojtur punën e suksesshme pas rënies së Vllaznisë në Kategorinë e Parë. E tani më shumë se kurrë do të doja të isha Voltanë. Tani kur asnjë tull nuk po hidhet për ekipin e ri, pa trajner dhe me takime të dështuara me figura të njohura të sportit shkodran. Do të doja të dilja në ballkonin e Bashkisë e të bërtisja me të madhe: “A jam budall? A jam i marr?”!