Kukësi mori një barazim pa gola në “Loro Boriçi”, megjithatë nuk mund të konsiderohet një rezultat shumë i mirë, duke marrë në konsideratë pretendimet që kanë veriorët, edhe pse në Maltë do të ketë në dispozicion dy rezultate për t’u kualifikuar (barazimin me gola dhe fitoren). Skuadra kishte një fytyrë gati tjetër, pasi zbritën në fushë shumë debutues, duke nisur që nga Qaqi, Uilliam, Plaku, Çyrbja dhe Zguro, praktikisht gjysma e skuadrës.
Gjithsesi, Pakult pas ndeshjes u duk i qetë, ndoshta de nga eksperienca e madhe që ka, diçka që e deklaroi vetë, megjithatë në fjalitë e tij në konferencën për shtyp, u kuptonte që tekniku ishte optimist që do të avanconte më tej. Vetë austriaku u shpreh se ishte munduar që ta studiojë kundërshtarin me aq mundësi sa kishte pasur, duike nënkuptuar se shumë pak e njihte kundërshtarin.
Tani, ai e njeh skuadrën dhe me shumë gjasa ka nisur që ta përgatisë sfidën e kthimit nga ajo që mësoi nga ndeshja e mbrëmshme. Koha në dispozicion është e limituar dhe të gjithë presim se çdo të “gatuajë” Pakult me besimin e tij. Ndeshja e kthimit luhet ditën e martë në orën 18:00 në Maltë.