Rey Manaj prezantohet si yll te Albasete

Rey Manaj është prezantuar si lojtari më i ri i Albasetes, skuadrës së ligës së dytë spanjolle. Një pritje prej ylli ajo për sulmuesin shqiptar, përkrah të cilit ishin edhe zv.presidenti i klubit, Viktor Varela dhe drejtori sportiv, Mauro Perez.

Manaj u shpreh entuziast për aventurën e re: “Kalova një sezon të mirë te Granada. Jam i ri dhe kam nevojë të luaj rregullisht e të ndjej besim. Për mua interesohej edhe një tjetër klub, por zgjodha të vij te Albasete që ka një projekt ambicioz. Jam i lumtur që ndodhem këtu”.

21-vjeçari kuqezi foli edhe rreth sfidës së re, duke premtuar se Albasete do të jetë një skuadër konkurruese. “E rëndësishme është të japim gjithçka për ekipin. Grupi i lojtarëve është i mirë. Nuk më pëlqen të them sa gola mund të shënoj. E rëndësishme është të bëjmë një sezon të mirë dhe të realizojmë objektivat e klubit, më pas objektivat personalë”, shtoi Manaj.

Elozhet për sulmuesin nuk munguan. “Rey është një prej talentëve të mëdhenj të futbollit europian. E njohim mirë dhe besoj se do ta ndihmojmë ekipin”, tha zv.presidenti i klubit, Viktor Varela. Në anën tjetër, drejtori sportiv, Mauro Perez tha: “Manaj do ti sjellë ekipit shumë forcë. Besojmë shumë te ai. Vitin e kaluar te Granada bëri mirë, edhe pse nuk arriti të jepte më të mirën. Besojmë se këtë do ta bëjë me Albaseten”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *