Trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, ka dhënë një intervistë të gjatë për sitin hungarez “Nemzetisport.hu”. Numri një i stolit të Shqipërisë foli në lidhje me shumë tema, pa harruar kombëtaren e Shqipërisë, momentin që po kalon Italia, por dhe eksperiencën me Rusinë. Panuçi ka qenë zëvendëstrajner i ekipit rus nga viti 2012 deri në vitin 2014.
Rusia – “Të them të drejtën nuk e prisja që Rusia të shkonte kaq larg në Botëror. Ata janë në çerekfinale dhe kjo është meritë e trajnerit Çerçezov. Jam shumë i lumtur për suksesin e Rusisë, pasi të gjithë lojtarët kanë punuar shumë për të arritur deri në këtë pikë”, – shprehet fillimisht ai. I ngacmuar për faktin se ndoshta ai dhe Kapelo nuk patën suksese ngaqë ishin italianë, Panuçi nuk e mendon aspak ashtu. “Mos e harroni që Kapelo e dërgoi ekipin në Kupën e Botës të Brazilit pas mungesës në Afrikën e Jugut dhe Gjermani. Nuk mendoj se kulturat e ndryshme kanë qenë problem, kjo është diçka që ndodh në çdo vend. Rusia është e avantazhuar dhe nga fusha dhe fakti që ka një mbështetje të madhe”.
XHAKA – SHAQIRI – Trajneri Panuçi shmangu pyetjen në lidhje me simbolin me shqiponjë të bërë nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. “Nuk dua të flas në lidhje me këtë çështje, pasi është përgjegjësi e federatës zvicerane për të folur”.
MENTALITETI SHQIPTAR – Italiani nuk ka shumë kohë në Shqipëri, por e ka kuptuar mentalitetin e vendit tonë. “Për shqiptarët, futbolli është gjithçka, maksimumi. Gjatë punës time, e kam kuptuar se sa shumë e ndjejnë njerëzit kombëtaren, kam shumë përgjegjësi për këtë. Para dy vitesh, Shqipëria kishte një ekip në Euro 2016, tani duhet të shkojmë në europianin e 2020”.
HUMBJA ME KOSOVEN – “Ishte një moment i dhimshëm për ne, pasi humbëm me rezultatin 3-0. Kishte disa shpjegime, pasi na munguan 8 lojtarë. Atmosfera ishte majft e mirë, vëllazërore dhe shumë miqësore. Të dy presidentët e federatave ishin në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin. Fatkeqësisht, presidenti Fadil Vokrri, vdiq pas asaj miqësoreje në qershor”.
KROACIA – I ngacmuar për suksesin e Kroacisë dhe dallimet e mëdha të kroatëve me futbollin e rajonit të Europës Juglindore, Shqipërinë apo dhe Hungarinë, tekniku italian e gjen dallimin te edukimi. “Sekreti është te puna e mirë me moshat. Ata kërkojnë gjithmonë për futbollistë të rinj. Kanë fat, pasi i ka qëlluar një brez shumë i mirë duke përfshirë Modriç dhe Kovaçiç te Real Madridi, Rakitiç te Barcelona, Lovren te Liverpuli, Perisiç dhe Brozoviç te Interi, Manduzikç te Juventusi. Një listë e mahnitshme…”.
ITALIA – Vendi fqinj po vuan shumë këtë periudhë, pasi nuk është në botëror. “Një qetësi e madhe në vend. Kur humbëm Botërorin, kishte kritika shumë të forta për trajnerin Ventura. Pas zëvendësimit të tij me Mançinin është rikthyer atmosfera e besimit. Opinioni publik beson se do të rikthehemi shpejt aty ku na takon. Mançini? Ishte një zgjedhje e mirë. Ai është personi i duhur për këtë rol, i aftë për të bashkuar dhe ndërtuar skuadrën”, – u shpreh Panuçi.