Në këtë Kupë Bote kemi parë gjithçka çfarë mund të shihnim, edhe pse jemi ende në gjysmë të rrugës dhe nuk ka mbaruar asgjë… Përdorimi i VAR-it, penalltitë rekord, surprizat e mëdha, eliminimet e mëdha, por edhe gola të bukur e disa të pamundur, pa harruar këtu edhe emocionet deri në sekondat e fundit…
Por, mes tyre, kemi parë edhe një futbollist që duhet të jetë lideri i Brazilit, por që deri tani ka qenë vetëm personifikimi i arrogancës. Bëhet fjalë për Nejmarin, ose ndryshe “O Ney”, siç e thërrasin. E ndërsa në Brazil i bëjnë mburojë, pjesa tjetër e botës, thuajse gjysma, e akuzon rëndë.

“Nejmar ka sensibilitetin më të ulët të dhimbjes në krahasim me çdo futbollist tjetër i Kupës së Botës që kur kanë nisur statistikat Opta”… Geri Lineker është vetëm një nga legjendat e futbollit që vë në lojë brazilianin, ndërsa rrotullimet e tij në fushë pas një faulli janë bërë virale në rrjetet sociale, aq sa tashmë çdo ditë po prodhohen video të ndryshme humoristike.
![]()
Dhe, thuajse të gjithë dalin në një konkluzion: “Është vetëm një karagjoz dhe palaço!”.
Nejmar duket sikur argëtohet duke i acaruar në atë formë, teksa Pele ende nuk është shprehur, por e sigurt është që i vjen disi keq, pasi pasardhësi i tij, “në thonjëza”, natyrisht, po bën krejt të kundërtën që ai ka bërë, kur tepër i ri, vetëm 17 vjeç, në Suedi, do të dëmtonte rëndë gjurin dhe do të zbriste në fushë me dhimbje, duke fituar si protagonist Botërorin në vitin 1958.

