Ronaldo-Juventus, duket se nuk ishte thjesht fantazi ose zëra merkatoje. Gjithçka ka lindur pasi Mendesh, agjenti i Kanselos, në momentin e akordit për mbrojtësin, u ka këshilluar drejtuesve bardhezi “asin” e Real Madridit, duke ditur dinamikat brenda klubit dhe sidomos “kleçkat” në klauzolë.
Sigurisht, ka shumë aspekte ekonomike që duhen zgjidhur përpara se të vijë shtrëngimi i duarve, ose mund të hapet një ankand, por mediat iberike vazhdojnë të shprehen se diçka e madhe është duke ndodhur ose “po zien”.
Kështu, sipas “Marca”, që ishte ajo që zbuloi në faqe të parë që Juvetusi kërkon portugezin, Florentino Perez, presidenti i Realit, i ka telefonuar agjentit të Ronaldos, Mendesh, për një takim të jashtëzakonshëm dhe që nuk ishte në plane kaq shpejt.
Agjenti nuk është ende në Madrid, por pritet që sonte vonë të mbërrijë dhe të flasë sy për sy me presidentin, duke i shprehur dëshirën e lojtarit për të ndërruar ambient dhe për të shkuar në Torino.
Sigurisht, diskutimi mund të bëhet edhe mëngjesin e nesërm, por fakt është që Florentino nuk dëshiron që kjo situatë të shtyhet edhe shumë, ndaj do t’i bëjë ofertën përfundimtare për Ronaldon, pra rrogën dhe sidomos të ardhmen: nëse nuk ka pranim nga Mendesh, atëherë do të dorëzohet.
Por, spanjollët nuk janë aq të sigurt që Perez do t’i rrisë sërish rrogën, ndaj edhe do të vijë divorci i madh. Ronaldo nuk e ka te aspekti ekonomik se sa të fakti që nuk është ndjerë i tutëluar atëherë kur duhej, pra kur gjyqi dhe akuzat për evazion fiskal, goditën portugezin.