Luftëtari e mbylli fazën përgatitore në Slloveni, teksa sot zhvilloi edhe një miqësore me sllovenët e NK Kërshko. Bluzinjtë barazuan 1-1 dhe golin e vetëm për ta e realizoi Behar Ramadani. Por ajo çka ra në sy ishte formacioni i hedhur në fushën e lojës nga Millosh Kostiç.
Ndryshe nga ndeshjet e tjera, Erjon Vucaj nuk ishte përzgjedhur të luante nga minuta e parë dhe kjo jo pa qëllim. Kjo miqësore kishte si synim edhe përgatitjen e ekipit për ndeshjen me Ventspils në Letoni.
Sikurse është vënë re, fantazisti shkodran ende nuk është prezantuar te Luftëtari dhe kjo lidhet me kontratën që ai ka me Vllazninë. U mendua që në fund të qershorit të zgjidhej gjithçka dhe Vucaj të merrte lejekalimin, por nuk ndodhi diçka e tillë.
Në klubin shkodran është gjithçka në ajër dhe në Asamblenë e 29 qershorit u miratuan vetëm pasqyrat financiare, ndërkohë që ende Vllaznia nuk ka një administrator që do të zhbllokonte situatën. Në këtë gjendje Vucaj rrezikon të mos e tërheqë dokumentacionin në kohë dhe te Luftëtari kanë nisur ta mendojnë seriozisht diçka të tillë, ndaj edhe Maldin Ymeraj kishte zënë vendin e shkodranit në formacion.