Suedia është ndër bukuritë e këtij Botërori, duhet ta themi pa frikë, edhe pse loja e saj nuk magjeps dhe kur mundohesh të gjesh një yll në ekip menjëherë si pa dashje mendja të shkon te… Zllatan.
Gjiganti i futbollit botëror në dekadat e fundit, ai që në Suedi konsiderohet më i madhi i të gjitha kohërave për arritjet e tij personale dhe me kombëtaren, në fakt këtë verë doli i panevojshëm. U ankua Ibra, u nxeh me mediat, tha se Botërori nuk kishte kuptim pa të – fundja ka edhe gjak ballkanas në vena – por ishte e kotë, Suedia e kishte ndarë mendjen.
Si mund t’i thuash një lojtari si Ibrahimoviç që nuk vlen? Në fakt thuajse çdo kombëtare tjetër në botë do e kishte luks ta kishte në ekip, qoftë edhe në moshën që është, qoftë edhe larg formës së plotë fizike. Ibra tremb kundërshtarin dhe i jep zemër skuadrës, është një nga ata që ndez tifozët e mbush stadium, por afron edhe sponsorët.
Këto nuk i morën parasysh suedezët e ftohtë, që e kanë kuptuar të parët se në futboll, sidomos në kombëtare, prania e një superstari nuk është gjithnjë një avantazh. Nëse ai yll nuk e ndihmon ekipin në kualifikuese, nëse është një narciz që adhuron vetëm vetveten dhe nuk bëhet njësh me ekipin edhe në aspektin njerëzor, atëherë nuk vlen. Një mesazh i qartë që duhet kapur mirë edhe nga kombëtare me emër si Italia, që justifikohet se nuk ka më yje, apo Argjentina e Spanja, që nuk dinë të ndërtojnë ekip fitues edhe pse kanë ajkën e botës.
Pas ndeshjes së sotme trajneri i Suedisë Jane Anderson u ndal shkurt edhe të kjo çështje: “Në ekipin tonë mbizotëron skuadra, jo lojtarët e veçantë. Shihni Forsberg, shënoi, por nuk më intereson, më duhet më shumë puna që ai bën për skuadrën, kilometrat pa fund, pasimet dhe hapësirat që krijon. Njerëzit këndonin në kor emrin tim? Futbolli është lojë skuadre, nuk ka vlerë puna ime nëse skuadra nuk bën gjithçka kemi në plan dhe nuk bashkëpunojmë gjithë kohën. Nuk jemi ende të kënaqur, duam fitore në ndeshjen tjetër. Do kemi kohë pas Botërorit të shohim pas dhe të lunturohemi”.