Lojtari i Lacios, Mamadu Tunkara, nuk gjen paqe. Sulmues u rikthye në Itali pas eksperiencës me Flamurtarin, ku ishte i huazuar për 6 muaj, por tashmë i duhet të lëvizë sërish. Në Vlorë nuk bindi, pasi luajti në 7 ndeshje dhe nuk gjeti asnjëherë rrugën e rrjetës.
Ekipi i Lacios e ka sistemuar futbollistin 22-vjeçar në kategorinë e dytë të Zvicrës. Ai u huazua për 1 vit te skuadra e Shafhauzen. “Klubi i Lacios bën me dije se ka arritur marrëveshjen e huazimit të Mamadu Tunkaras deri më 30 qershor 2019 me ekipin e Shafhauzen”, – shkruan klubi lacial. Në ekipin e ligës së dytë zvicerane do të gjejë 3 shqiptarë, pasi Imran Bunjaku, Asllan Demhasaj dhe Qendrim Ferizi janë pjesë e ekipit helvet.
Kjo do të jetë eksperienca e dytë jashtë Italie për futbollistin, pas asaj me Flamurtarin. Tunkara shpreson t’i japë një tjetër impuls karrierës së tij e cila ka qenë vetëm në rënie. Kontrata e tij me Lacion skadon në vitin 2020. 22-vjeçari shihej si një nga futbollistët më premtues të Lacios kur ishte pjesë e Akademisë me të rinjtë.