Në historinë e futbollit francez viti 1998 ka një vend të veçantë, sepse është viti kur Franca fitoi Kupën e parë të Botës.
Ishte viti i Zinedin Zidan, por jo vetëm atij, sepse ishte një skuadër legjendash që në hapësirën e dy viteve çuan në Francë edhe Europianin.
Ishte viti kur lindi Kilian Mbape. Një futbollist që debutoi në Ligën 1 franceze me Monakon në moshën 17-vjeçare dhe shënoi 15 gola në kampionatin francez brenda një sezoni, atij 2016/17, kur shtoi edhe 6 gola në Champions League.
Verën e shkuar PSG e bleu nga Monako dhe këtë verë do të derdhë në arkat e klubit nga Principata rreth 180 milionë euro.
Ia kanë vlejtur të gjitha. Mbape shënoi 21 gola sezonin e fundit, në dhjetor mbush 20 vjeç dhe sot mundi Argjentinën.
Po, e mundi ai Argjentinën, sepse fitoi një penallti me një sprint që ia ka zili edhe Usain Bolt, ndërsa në pjesën e dytë fundosi Mesin me shokë.
Vetëm 19 vjeç, dy gola në një takim Botërori me eliminim direkt, i pari dhe i vetmi që e kishte bërë pa mbushur 20 vjeç ishte një zotëri që quhej Pele. Ky braziliani kishte gjithçka, tregojnë librat e historisë, por edhe ky djaloshi nga Franca nuk është larg, nëse vazhdon kështu. Nëse Franca del kampione sivjet dhe Mbape vazhdon me këtë ritëm, do ta quajmë Mpele.